Ekspertët paralajmërojnë se popullsia e Tokës mund të përgjysmohet deri në vitin 2064, si pasojë e krizave globale si ndryshimet klimatike, pandemitë, konfliktet apo mungesa e burimeve.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Chaos, Solitons & Fractals, studiuesit nga Universiteti i Milanit analizuan rritjen e popullsisë gjatë 12 mijë viteve të fundit dhe ndërtuan një model matematikor për të kuptuar se si mund të ndikojnë krizat e mëdha mjedisore në të ardhmen.
Ata theksojnë se nuk bëhet fjalë për një parashikim të sigurt, por për një “skenar matematik shpjegues”, që tregon sa e ndjeshme mund të jetë popullsia ndaj ndryshimeve të papritura.
Sipas skenarit më ekstrem, popullsia globale, aktualisht rreth 8.3 miliardë banorë, mund të bjerë ndjeshëm brenda 40 viteve të ardhshme.
Studiuesit paralajmërojnë se, në rast të një kolapsi të madh mjedisor, Toka mund të mbështesë vetëm rreth 2 milionë njerëz.
Studimi riktheu gjithashtu në vëmendje teorinë e njohur të “Ditës së Kiametit”, e cila në vitet 1960 parashikonte një kolaps të popullsisë globale. Sipas ekspertëve, kjo u shmang falë rënies së normave të fertilitetit në mbarë botën.
Një tjetër studim i përmendur në raport sugjeron se çdo grua duhet të lindë mesatarisht 2.7 fëmijë për të shmangur rënien drastike të popullsisë, ndërsa aktualisht normat e lindjeve janë në rënie në shumë vende.
Shqetësime për këtë fenomen ka ngritur edhe Elon Musk, i cili ka paralajmëruar vazhdimisht se rënia e lindshmërisë mund të çojë në tkurrje të fuqisë punëtore dhe probleme ekonomike e sociale në të ardhmen.





