– Moskovitëve u ofrohet një tablo rozë për Durrësin, Vlorën, Sarandën, Shëngjinin
DURRËS, 4 qershor 2013 – Shpresë nga oligarkët e“Ariut” që firmat shqiptare të ndërtimit të mund të shesin stoqet e apartamenteve.
Të huajt në Shqipëri jo vetëm mund të pushojnë në kushte të mira, por edhe të blejnë lirë pasuri të patundshme si në qytete, ashtu dhe deri 50 metra nga deti, mendojnë ekspertët rusë të imobiliareve.
Ndryshe nga sa mendojnë shqiptarët e varfër, rusët mendojnë se në vendin e vogël ballkanik “ke ku të ndërtosh, toka është mjaft e lirë”, pasi “taksat e pushtetit vendor ulin ndjeshëm koston e mirëmbajtjes së objekteve”.
Për pasanikët e rinj moskovitë është tërheqës fakti se “një familje mesatare në Shqipëri shpenzon gjithsej 10 euro për ujin e pijshëm dhe 40-50 euro për energji elektrike”.
Ekspertët mendojnë se “aktualisht, pasuritë e patundshme janë me çmim të lirë madje në buzën e ujit (vija e parë) të plazheve të deteve Adriatik dhe Jon. Kur blen një apartament të ri do të duhet të paguash vetëm 650-850 euro për metër katror. Në vijën e dytë – 450-650 euro. Veçanërisht nuk dallohen çmimet për pasuri të patundshme në bregun e liqenit të Ohrit – 450-700 euro”.
Në Moskë është bërë shumë popullor dhe emri i Durrësit për pasuri të patundshme: apartamente, vila, toka bujqësore.
Bie në sy vështrimi “rozë” i moskovitëve për turizmin shqiptar, ndryshe nga ai “gri” i zviceranëve.
“Dyrrah”-u ka përkthyer një shkrim me titullin “Imobiliaret e Shqipërisë: prona në vendin më enigmatik të Evropës”, botuar më 3 qershor 2013 në sajtin rus www.profi-forex.org.
SHKRIMI
Imobiliaret e Shqipërisë: prona në vendin më enigmatik të Evropës
Për shumë dekada Shqipëria konsiderohej si vendi më i “mbyllur” në Evropë. Por ngandonjëherë Shqipërisë i lindin keqkuptime me fqinjët. Megjithatë, kohët ndryshojnë, dhe qeveria e këtij vendi ka kohë që po përpiqet të ndërtojë politikën e saj mbi parime evropiane. Vendosen marrëdhënie me Perëndimin, sikurse konfirmohet me hyrjen kohët të fundit në NATO. Me Rusinë është vendosur regjim pa viza. Tani është e mundur që të huajt të investojnë në pasuritë e patundshme të vendit. Sipas ekspertëve të revistës [ruse] “Birzhevoj lider” të rubrikave “Lajme të Evropës” dhe “Lajme për pasuritë e patundshme”, herët apo vonë, Shqipëria do të hyjë gjithashtu në Bashkimin Evropian.
Të gjitha këto hapin perspektiva për zhvillimin e turizmit si në zonat malore, ashtu edhe në brigjet e deteve Adriatik dhe Jon. Duke marrë në konsideratë çmimet modeste në tregun shqiptar të pasurive të patundshme, si edhe politikën e shtetit për zhvillimin e këtij sektori, mund të parashikohet fitim i mirë nga investimet kapitale të bëra sot.
Karakteristikat e tregut të pronave të patundshme në Shqipëri
Pavarësisht krizës botërore, fluksi i turistëve të huaj po rritet vazhdimisht në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Kështu, në vitin 2004 vendin e vizituan rreth 350 mijë të huaj. Kurse në vitin 2010, kjo shifër u rrit plot dhjetë herë! Afërsisht në po këtë kohë në tregun shqiptar të pasurive të patundshme kanë shfaqur vëmendjen investitorë nga shumica e vendeve evropiane. Sipas ekspertëve, një plus shtesë ka të bëjë me faktin se kostoja e objekteve në Shqipëri ndodhet përafërsisht në po atë nivel si në Bullgari apo Malin e Zi në fillim të viteve 2000. Mbetet vetëm mund të shpresohet se zhvillimi i mëtejshëm i tregut këtu do të ecë mbi bazën e një skenari analog.
Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri rreth 90 për qind e bregdetit nuk është e zënë nga infrastruktura turistike. Ke ku të ndërtosh, toka është mjaft e lirë. Përveç kësaj, taksat e pushtetit vendor ulin ndjeshëm koston e mirëmbajtjes së objekteve. Për shembull, një familje mesatare në Shqipëri shpenzon gjithsej 10 euro për ujin e pijshëm dhe 40-50 euro për energji elektrike. Shërbimi në prona të përbashkëta kushton 1.5-5 euro për metër katror. Madje dhe për të huajt nuk ka tatim mbi pasurinë e patundshme. Meqë ra fjala të huajt mund të blejnë, shesin dhe menaxhojnë pasuri të patundshme me të njëjtat kushte si banorët vendës.
Pothuajse të vetmin faktor frenues analistët konsiderojnë mungesën e informacionit objektiv mbi Shqipërinë, praktikisht në të gjitha vendet evropiane. Shumë njerëz druhen të vijnë këtu, sepse udhëhiqen nga stereotipa të vjetruar me kohë. Të paktën, të huajt këtu jo vetëm mund të pushojnë në kushte të mira, por të blejnë lirë pasuri të patundshme si në qytete, ashtu dhe deri 50 metra nga deti.
Çmimet e pasurive të patundshme në Shqipëri
Aktualisht, pasuritë e patundshme janë me çmim të lirë madje në buzën e ujit (vija e parë) të plazheve të deteve Adriatik dhe Jon. Kur blen një apartament të ri do të duhet të paguash vetëm 650-850 euro për metër katror. Në vijën e dytë – 450-650 euro. Veçanërisht nuk dallohen çmimet për pasuri të patundshme në bregun e liqenit të Ohrit – 450-700 euro. Mund të gjesh duke zgjedhur banesë me sipërfaqe nga 40 deri në 120 metra katrorë.
Në pallatet shumëkatëshe në qytete një metër katror do të kushtonte 650-800 euro. Ndërkaq, disa pallate të reja në ndërtim ofrojnë pishinë dhe hapësirë para shtëpisë. Shpesh herë do të dorëzojnë apartamente të mobiluara plotësisht.
Ofertat më të shtrenjta janë apartamentet dhe vilat luksoze jo më pak se 200 metra katrorë. Çmimet në këtë segment arrijnë në 1.800 euro për metër katror.
Qiraja në zona prestigjioze në varësi nga cilësia e pasurive të patundshme shkon nga 500 deri në1800 euro në muaj. Përmendim se një apartament i zakonshëm mund të blihet për 50-60 mijë euro.
Si të blesh shtëpi në Shqipëri
Rezulton se për këtë rusëve u mjafton të kenë shumën përkatëse të parave dhe të tregojnë pasaportën ndërkombëtare. Por vet procedura kalon në disa etapa. Fillimisht u duhet të bëjnë kontratë me një agjenci të specializuar për ofrimin e shërbimeve, pastaj të kërkojnë të blejnë objektin dhe të merren me riformulimin e kontratës.
Agjencia merr përsipër të gjithë punën “me letrat” dhe garanton sigurinë e transaksionit. Specialistët paralajmërojnë se, pa ndërmjetës vendës, i huaji rrezikon të blejë një ndërtim të papërfunduar, ndërsa pas marrjes së parave shitësi thjesht mund të zhduket. Megjithatë këtu është e zakonshme gjithashtu të shitet “objekti i papërfunduar”. Por në këtë rast firmës së ndërtimit i jepet jo më shumë se 30-50 për qind, kurse pjesa tjetër vetëm pas dorëzimit për përdorim.
Si rregull, firmat seksere nuk marrin më shumë se 4 për qind komision.
Leja e qëndrimit dhe nënshtetësia
Meqë Shqipëria nuk është anëtare e BE-së, kurse të huajt këtu kanë të drejta të barabarta me shtetasit vendës, marrja e pasaportës nuk ka kuptim të veçantë. Leja e qëndrimit, natyrisht, është e nevojshme për të pasur qasje të vazhdueshme në pasurinë e blerë, vë në dukje eksperti kryesor i tregut të pasurive të patundshme jashtë shtetit Jevgenij Olhovskij.
Për të marrë leje qëndrimi duhet shkuar në Shqipëri me vizë afatgjatë të kategorisë D ose me regjimin pa viza dhe të paraqetet deklarimi përkatës në policinë vendore. Leja e qëndrimit jepet për një periudhë prej 3 muaj deri në 2 vjet me mundësi zgjatjeje. Por, në radhë të parë e marrin studentët e huaj të universiteteve shqiptare, specialiastët e huaj të punësuar në Shqipëri, si edhe të afërmit apo familjarët e rezidentit të përhershëm.
Për të marrë nënshtetësinë, duhet të jetoni në Shqipëri jo më pak se 5 vjet. Banesa vetjake dhe të ardhurat e ,jaftueshme luajnë rol vendimtar këtu.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





