Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi thotë se viti 2030 është shndërruar në një lloj afati për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, për të shmangur edhe ndikimin rus në rajon.
Në një intervistë për ABC News, Krisafi u shpreh se sipas disa informacioneve, Bashkimi Evropian dëshiron që të paktën një prej gjashtë vendeve të rajonit të anëtarësohet në 2030.
Sipas Krisafit, Shqipëria është më e avantazhuara, për shkak të rezultateve që po jep reforma në drejtësi, si dhe nuk ka probleme rajonale me fqinjët.
“Ka kohë që, të paktën 2030 është shndërruar në një lloj afati për Ballkanin Perëndimor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Asnjë prej vendeve të Balkanit Perëndimor nuk është gati në 6 vite që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Nëse Bashkimi Evropian vendos që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë, do jetë një vendim politik, për të hequr ndikimin rus në radhë të parë, prania ekonomike kineze është e rëndësishme. Nga burimet që kam unë, Bashkimi Evropian dëshiron që të paktën një prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor të jetë pjesë e Bashkimit Evropian në vitin 2030. Unë mendoj se Shqipëria është vendi që sot është në pararojë të rajonit, për të qenë pikërisht vendi që mund të jetë pjesë e BE. Pse? Për një arsye shumë të rëndësishme, që është reforma në drejtësi.
Në raport progresin e fundit për të gjitha vendet e rajonit që ka nxjerrë Bashkimi Evropian, ka treguar që reforma në drejtësi në Shqipëri, ka dhënë rezultate të cilat nuk janë në asnjë vend tjetër të Ballkanit Perëndimor. E ka shndërruar Shqipërinë në pararojë të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, drejt Bashkimit Evropian. Nëse Bashkimi Evropian vendos të fusë një ose të gjashtë vendet në 2030, do jetë mbi të gjitha një vendim politik, nuk do të jetë një vendim i merituar. Këto vende, nuk arrijnë dot në 6 vite, atë që nuk e kanë realizuar 30 vitet e fundit.
Problemet që ka rajoni, janë të rëndësishme, janë të mëdha. I vetmi vend që nuk ka probleme thelbësore në rajon është Shqipëria. Nuk ka as probleme etnike fetare të brendshme, as me fqinjët. Vendet e tjera kanë probleme që i kanë mbejtur peng proceset”, theksoi ai.