TIRANË,13 nëntor 2013  – Do të jetë Shqipëria vendi ku do të shkatërrohen armët kimike siriane apo jo? Përgjigja ka ardhur nga Pol Walker, në një deklaratë të bërë për Al Jazeerën. Drejtori i programit, të Green Cross International, Walker ka treguar se, të premten do të zyrtarizohet edhe vendi ku do të dërgohen armët kimike siriane dhe sipas tij, ky vend do të jetë Shqipëria.
Gjatë emisionit Stream në televizionin e Katarit, Walker ka qenë i ftuar bashkë me ekspertë të tjerë, të cilët bashkë me të janë shprehur skeptikë se, pse është zgjedhur Shqipëria si vendi ku do të shkatërrohen këto armë kimike.  
Sipas Walker, “gjëja më e rëndësishme është që kudo që të bëhet ky proces, të jetë i sigurtë, çka do të thotë se nëse do të ndodhë shkatërrimi, kudo, në Shqipëri, Rusi, SHBA, apo në Indi, duhet të jetë i sigurtë”.

“Vendimi për transferimin pak a shumë është bërë dhe do të deklarohet të premten.  Transferimi i të gjithë armëve dhe agjentëve kimikë sirianë do të bëhet në Shqipëri”,ka deklaruar Walker.

Drejtuesja e programit dhe ekspertët e ftuar kanë pyetur se, pse Shqipëria?

“Për këtë pyes dhe unë, edhe unë jam i surprizuar se pse Shqipëria. Ky vend ka pasur një process të mëparshëm të shkatërrimit të armëve kimike. Në 2007 ata kanë shkatërruar për 6 muaj, 16 ton mbetje kimike, gaz mustard  që i ishte dhënë nga Kina. Shkatërrimi i lëndëve kimike do të ndodhë në 2-3 muajt e ardhshëm”, tregon Walker gjatë emisionit Stream, në Al Jazeera.

Sipas drejorit të Green Cross International, Paul Walker,

“Shqipëria gjithashtu është treguar e gatshme dhe ka sjellë përgjigje pozitive kur SHBA dhe Rusia pyetën se kush është gati të mirëpresë këto kimikate për asgjësim”. “Ata ngritën një bazë të vogël, një godinë e vogël industriale dhe besoj se procesi do të fillojë në Shqipëri në 2-3 muajt e ardhshëm”, ka treguar Walker.

Ndërkaq, për ekspertin e armëve kimike, Ralf Trapp,

“ky do të jetë një operacion shumë i vështirë nga pikëpamja e sigurisë, pasi Siria është në mes të një lufte. Pra do të jetë shumë e vështirë për të masa sigurie dhe t’i asgjësojnë armët. Por asgjësimi i tyre do të jetë diçka e vëshrirë pasi janë substanca toksike janë shumë të rrezikshme, të cilat duan shumë kujdes me mënyrën si do të transportohen dhe se si do të shkatërrohen”.

 

http://www.shqiptarja.com/home/1/eksperti-i-shba-arm-t-kimike-t–premten-do-i-marr–shqip-ria-186789.html