Mjeku ligjor i cili ka shkuar nga kryeqyteti në Gjirokastër, ka bërë autopsinë në orët e vona të pasdites në trupin e Klea Muxhaj,  20-vjeçares e cila humbi jetën pas komplikacioneve të shfaqura 5 orë pas lindjes së foshnjës, realizuar me operacion.

Ende nuk është zbuluar shkaku i vdekjes se nënës 20-vjeçare. Kampione të organeve jetike të së ndjerës kanë shkuar në Laboratorin e Kriminalistikës në kryeqytet për të analizuar shkencërisht shkakun e vërtetë të vdekjes si dhe rrugët që e çoi në arrestin akut respirator. Një përgjigje shkencore pritet të dalë javës që vjen.

Ndërkaq dje në mbrëmje oficerët e Policisë Gjyqësore, kanë marrë dëshmitë e kunatit, vjehrrit, vjehrrës dhe bashkëshortit të 20-vjeçares të cilët kanë dëshmuar për atë çfarë kanë parë para vdekjes së të ndjerës.

Njëkohësisht kanë dhënë dëshmi edhe tre mjekët që kanë asistuar në operacion si dhe katër infermiere që kanë qenë asistuese në operacion dhe vëzhguese pas operacionit. Deri më tani Prokuroria e Gjirokastrës nuk ka ngritur asnjë akuzë derisa pritet përgjigja shkencore e autopsisë.