Eksperti rrugor Fatmir Hasho ka treguar në emisionin “Wake Up” se cili është aksi rrugor më i rrezikshëm në Shqipëri, ku drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë shumë kujdes.
Ai shprehet se aksi rrugor Pishkash-Prrenjas është tepër i rrezikshëm, pasi gjatë dimrit uji që rrjedh ngrin, duke bërë që makinat të rrëshqasin dhe të humbin kontrollin. Mbi të gjitha është një rrugë që ndodhin shumë shpesh aksidente.
“Është një fshat, ka qenë minierë e famshme, Pishkash. Aty në atë vend, tamam ku është tabela e Pishkashit derisa të dalësh për të shkuar në Prrenjas, është një rrugë për të shkuar jo më shumë se 2-3 km e cila në kohën e dimrit, nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 10 të mëngjesit, duhet një kujdes, pavarësisht se ka tabela, por njerëzit janë të pavëmendshëm. Nuk e kap dielli dhe ato ujërat që dalin, krijojnë një shtresë, kur ti mund të jesh i pavëmendshëm, makina del nga rruga. Kishim një rast aksidenti para një jave, nuk arrij ta konceptoj, drejtues mjetesh dalin në korsi tjetër pa asnjë lloj motivi. Kemi fenomene atmosferike, shi, akull, ngrica, vëmendja duhet të jetë maksimale në drejtimin e mjetit”, u shpreh eksperti rrugor Hasho.