DURRËS, 17 gusht 2014 –  Fatkeqësia është që në konkurrencën për të hapur sa më shumë universitete u bë pjesë edhe shteti, në kuptimin që kontribuoi në rritjen e numrit të tyre.

Në Shqipëri operojnë 15 institucione të arsimit publik të lartë me statusin e universitetit, pa përfshirë këtu filialet e tyre, sikundër është, për shembull, filiali në Peshkopi i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, shkruan ekspertja Valbonë Nathanaili, në numrin e 17 gushtit 2014 të së përditshmes  Shqip.

Në shkrimin me titull “Mbyllja e institucioneve të paligjshme të arsimit të lartë – një hap përpara”, Nathanaili jep disa të dhëna se çfarë ofrohet në këtë “universitet”.

Filiali u hap në tetor të vitit 2009 dhe ofronte: profil ekonomik me tri programe; profil drejtësi me një program (asistent ligjor); profil edukim me dy programe; profil matematikë me dy programe (Matematikë-Fizikë/ Matematikë-Informatikë); profil gjuhë, letërsi, anglisht, informatikë, specialist rrjetesh kompjuterike; profil biologji-kimi; profil infermieri e përgjithshme; cikël të ulët; part-time me tre programe: drejtësi / infermieri e përgjithshme / financë-bankë.

Në total filiali ofronte 17 programe.

Në vitin 2009, vitin e parë të hapjes, në këtë filial janë regjistruar 400 studentë, ndërsa në vitin 2010 numri i studentëve shkoi në 800.

Shembulli është për të ilustruar dhe përgjithësuar një fakt të thjeshtë: nuk kemi kaq kapacitete njerëzore për të punuar në këtë nivel arsimi dhe aq shumë parà, sa duhen, për të financuar këtë nivel arsimimi, thotë ekspertja.

Info

Më 13 tetor 2012, filiali në Peshkopi diplomoi brezin e parë të studentëve.

Të 30-të studentët i morën diplomat nga vetë Kryeministri i asaj kohe Prof. Dr. Sali Berisha, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Prof. Dr. Myqerem Tafaj dhe nga rektori i UAMD-së Prof. Dr. Mit’hat Mema.

Kjo ceremoni u shoqërua edhe me përurimin e godinës së rikonstruktuar të vendosur në qendër të qytetit.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/