Tiranë, 9 maj 2014 – Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme për situatën e rendit dhe sigurisë në vend pas një atentati me eksploziv të ndodhur një ditë më parë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e kësaj partie Laura Vorpsi u shpreh se atentati i djeshëm është një thirrje alarmi për situatën e rendit.
“Eksplozivi i djeshëm ka prishur qetësinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pasi kur organizohet ekzekutimi i një gruaje në mes të ditës, krimi ka marrë revanshin më të egër, dhe autoriteti i policisë dhe i shtetit është në kuotat më të ulëta. Partia Demokratike është e shqetësuar për këtë klimë kriminale në vend, që nuk kursen më askënd, as gratë, as fëmijët,”- u shpreh Vorpsi.
Sipas PD kjo ngjarje dëshmon dhe një herë dështimin e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm për vendosjen e rendit dhe qetësisë në vend.
Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi
Një ngjarje e rëndë kriminale, e pahasur më parë ka ndodhur në autostradën kryesore të vendit, Tiranë-Durrës.
Atentati me eksploziv ndaj arkitektes Entela Çano, që për fatin e mirë nuk ia mori jetën, është një thirrje alarmi për situatën e rendit dhe sigurisë në vend, që sa vjen e përkeqësohet.
Eksplozivi i djeshëm ka prishur qetësinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pasi kur organizohet ekzekutimi i një gruaje në mes të ditës, krimi ka marrë revanshin më të egër, dhe autoriteti i policisë dhe i shtetit është në kuotat më të ulëta.
Partia Demokratike është e shqetësuar për këtë klimë kriminale në vend, që nuk kursen më askënd, as gratë, as fëmijët.
Kjo ngjarje dëshmon dhe një herë dështimin e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm për vendosjen e rendit dhe qetësisë në vend. Kriza e rendit, është e lidhur me paligjshmërinë që buron në kupolën e Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit.
Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit të marrë masa të menjëhershme. Nëse ai nuk ofron dot siguri për jetën e qytetarëve në vend, atëherë ai nuk është në gjendje të bëjë detyrën më parësore që i është ngarkuar nga Kushtetuta dhe nga qytetarët shqiptarë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





