ELBASAN– Për të disatën herë persona të paidentifikuar janë përpjekur të shembin kryqin ortodoks në Qafë-Krrabë të Elbasanit duke cënuar kështu simbolet e kultit.

Policia thotë se ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës kur një shpërthim i fuqishëm ka tronditur xhamat e banesave përreth dhe  që fillimisht u mendua si një tronditje e ardhur nga shpërthimet e zakonshme në Metalurgjik.

Në mëngjes është konstatuar vënia e eksplozivit në kryqin ortodok mbi fshatin Fikas të Komunës së Bradasheshit. Kisha ortodokse e Elbasanit në një deklaratë proteste e lidh këtë ngjarje edhe me shkatërrimin e afreskeve murale të Kishës së Valëshit në komunën e Gjinarit, pak ditë më parë.

“Ne jemi të shqetësuar sepse është në vazhdën e disa veprimeve, ne jemi të shqetësuar. Kemi vlerat shpirtërore të besimit tonë ortodoks prandaj prishet dhe harmonia fetare me këto veprime “, tha At Stavri Çipi.

Sipas ekspertëve të policisë, shpërthimi ka dëmtuar rëndë bazën e kryqit, rreth 60 cm nga toka dhe afër tij janë gjetur fitila kapsollash, çka e vërteton përdorimin e eksplozivit. Paraprakisht mendohet se tentativa e shkatërrimit të kryqit është bërë për t’u shitur për skrap. Kryqi në Qafë-Krrabë është vendosur në këtë shpat mali tetë vjet më parë dhe kjo kjo është tentativa e dytë për ta shkatërruar atë.