Biznesmenit të nohur të ndërtimit në Durrës i vendosin eksploziv në pallatin e tij.

Ka qenë djali i biznesmenit Enver Shala, 19-vjeçari me iniciale E.Sh. që ka konstatuar 6 kallëpë të dyshuar me lëndë plasëse.

Policia thotë se ai i ka gjetur në katin e 18-të të godinës 20-katëshe në pronësi të babait të tij te Shkëmbi i Kavajës, rreth orës 11:00 të ditës së djeshme.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar efektivet e Policisë, të cilët kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në objekt dhe rezultoi se në dy kollonat e betonit ne katin e 18-të (të pa përfunduar) gjendeshin të vendosura nga 3 kallëpë me lëndë plasëse.

Policia thotë se po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa sasia e lëndës plasëse u sekuestrua në cilësinë e provave materiale.

Më datë 17 shkurt, në këtë pallat u shembën 3 katet e fundit, që ishin me konstruksione metalike. Punimet ishin të papërfunduara, pasi nuk disponohej leje ndërtimi. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.