Eksportet bujqësore shqiptare kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë nëntëmujorit të këtij viti.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi se bujqësia prodhon sot më shumë se në vitin 2013, duke reflektuar zhvillim të qëndrueshëm dhe investime të shtuara në sektor.
I pranishëm në Komisionin e Kuvendit për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural, ministri, tha se “prodhimi i perimeve është rritur me 57%, bimët aromatike dhe mjekësore me 65%, ndërsa pemët frutore me rreth një të tretën. Të njëjtat rritje janë vërejtur edhe në prodhimin e ullinjve dhe agrumeve”.
Sipas tij, eksportet agroushqimore janë rritur nga 14,6 miliardë lekë në vitin 2013, në 53,2 miliardë lekë në vitin 2024, ndërsa gjatë 9-mujorit të këtij viti kanë arritur në 41,4 miliardë lekë, duke shënuar 7,4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu, vijoi ai, raporti i mbulimit të eksporteve me importet bujqësore është përmirësuar ndjeshëm nga 6,4 lekë importe për 1 lek eksport në vitin 2013, në vetëm 2,9 lekë sot.
Salla theksoi se ky progres është i rëndësishëm edhe për shkak të rritjes së kërkesës së brendshme ushqimore, e ndikuar nga zhvillimi i turizmit.
Ministri vuri në dukje se pjesëmarrja në skemat e mbështetjes është zgjeruar ndjeshëm, nga 11 mijë përfitues në vitin 2013 në mbi 71 mijë në vitin 2025, ndërsa buxheti për bujqësinë është rritur më shumë se 3,5 herë.
“Sot mbështesim bujqësinë, blegtorinë, serrat, bimët mjekësore dhe investimet në zonat rurale. Ky është një zhvillim që vjen nga më shumë sipërfaqe të ujitura, më shumë fonde investimi dhe më shumë qendra grumbullimi” u shpreh Salla.
Ai shtoi se hapi i ardhshëm për sektorin është përgatitja për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2027, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes së fermerëve, grumbulluesve dhe përpunuesve për t’u integruar me sukses në tregun unik europian.





