Itali, 20 korrik 2014 – Ndërsa vazhdon kriza ekonomike, Shqipëria arrin të eksportojë suksesshëm drejt Italisë prodhime të industrisë fason, d.m.th. djersën e punëtorëve shqiptarë, dhe shërbime call-center, në mënyrë figurative rrylin e fytit të rinisë shqiptare, që flet italisht, anglisht dhe gjermanisht etj. Fatkeqësisht eksportet tradicionale si mineralet apo produktet bujqësore-blegtorale, ndryshe nga pak vite më parë kanë vështirësi të dukshme në penetrimin e tregjeve të huaja.

Këtyre eksporteve shqiptare këtë verë do t’u shtohet edhe Agon Channel. Sipërmarrësi Francesco Becchetti (ne foton poshte), i mbështetur nga gazetari i famshëm italian Alessio Vinci (ish korespondent i shquar i CNN-it amerikan, ne foton kryesore) kërkon të hapë një front të ri fasonerie.

Në vend të bluzave, të mbathurave, faqeve të këpucëve, qeseve të kartonit etj. dyshja Beccetti-Vinci do të eksportojë në Itali programe televisive “Made in Albania”. Ata do të shfrytëzojnë krahun e lirë të punës të gazetarëve, operatorëve, dhe teknikëve shqiptarë për të prodhuar në Shqipëri me aparatura nga më modernet të sjella nga Italia, programe televizive me kosto të ulët.

Me mburrje, çifti Becchetti-Vinci theksojnë, që duke filluar nga shtatori 2014 në televizionet me kabëll në Itali do jetë prezent edhe Agon Channel. Për ta hyrja e Agon Channel në tregun italian do jetë njëlloj si hyrja e kompanisë ajrore me kosto të ulët “Ryanair” në tregun e fluturimeve ajrore.

Kompanitë tradicionale në fillim e pritën me mosbesim madje dhe me përbuzje kompaninë me kosto të ulët, më pas u trembën nga konkurenca, që ofronte “Ryaniar”.

Në tregun italian Agon Channel do të jetë pikërisht një “Ryanair”, që do të bëjë çudira. Vinçi shpreson që teknologjia dhe aftësitë sipërmarrëse italiane, të kombinuara me krahun e lirë të punës por të mirë kualifikuar shqiptar, do të ofrojnë prodhime televizive me një të pestën deri një të dhjetën e kostos së atyre të prodhuara në Itali, por me cilësi të përafërt apo edhe të njëjtë me to.

Këtij projekti po i bëjnë jehonë që nga prestigjiozet “Corriere della Sera” dhe “Repubblica” e deri blogjet dhe sitet e specializuara për botën e spektaklit apo të televisionit etj. etj. Shpresojmë që një iniciativë e tillë të hapë më shumë vende pune, me paga relativisht të mira për intelektualët dhe teknikët shqiptarë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/