25 aksione pastrimi, 130 foto që dokumentojnë një punë voluminoze në terren, qindra vullnetarë të angazhuar për pastrimin e mjedisit. Bilanci është i River Cleanup Albania, një grup vullnetarësh, kryesisht të rinj, të angazhuar në dhjetëra aksione pastrimi përgjatë vijës bregdetare dhe jo vetëm.

Në çeljen e ekspozitës së hapur në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” ishte i pranishëm edhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Gjatë fjalës së rastit, kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian, theksoi se vendi ynë ka edhe të bukurën dhe bishën, duke iu referuar kështu bukurisë natyrore të trevave shqiptare, por edhe fenomenit negativ të ndotjes mjedisore, kaq shumë i përhapur.

Ambasadori bëri apel që iniciativës t’i bashkohen gjithnjë e më shumë vullnetarë, sepse vetëm kështu Shqipëria do të jetë më e pastër dhe më e bukur.

Në ekspozitën e River Cleanup Albania u prezantuan 130 foto nga puna e vullnetarëve në terren, që përgjatë shumë muajve me radhë u angazhuan për pastrimin e rreth 9000 kg mbetje urbane nga zona të ndryshme të vendit.

Vlen të përmendet fakti se pjesë e aksioneve për pastrimin e mjedisit kanë qenë studentë të UAMD, gjimnazistë, nxënës të shkollave 9-vjeçare të Durrësit etj.

M.B.