Nata e fundit e festivalit “Verë në Epidamn” solli në ambientet e amfiteatrit të Durrësit fotografen Soela Zani. Ekspozita e saj “Edhe unë jam vepër arti”, që u çel  më 18 gusht, pati sukses të madh.

Artisti Maks Velo vlerësoi maksimalish punën e Soelës dhe u shpreh se ekzistojnë dy mënyra për ta parë artin: E para duke e grabitur atë dhe e dyta duke i dhënë artit. Soela sipas tij ka mënyrën e dytë, ajo nuk kërkon suksese të bujshme të pamerituara dhe është e vetmja fotografe shqiptare që ka patur jehonë ndërkombëtare.

E ndërsa vetë Soela shprehet për “Durrës Lajm” se gjatë periudhës së punës për ekspozitën “Edhe unë jam vepër arti” është njohur me fëmijë të ndryshëm, të veçantë. “Është bukur t’i thuash gjërat nëpërmjet artit dhe të nxjerrësh në pah vlerat  e njerëzve”- thotë Soela.

Më tej ajo shton se pa bashkëpunimin e drejtoreshës së fondacionit “Down Syndrome Albania”, Emanuela Zaimi dhe organizatores Driada Dervishi, kjo ekspozitë nuk do të ishte bërë e mundur.

14 tablotë që qëndruan të varura në muret e amfiteatrit të Durrësit, kanë si modelë 14 fëmijë me sindromën Down të vendosur në rolin e figurave të njohura të pikturës botërore e shqiptare.

Motra e njërës prej modeleve të Soelës, e fotografuar si “Motra Tone”, rrëfen këtë përvojë pesonale. Ajo shprehet se pas ekspozitës fotografike motra e saj nuk mëshirohet më nga personat e tjerë, por shihet dhe pranohet si pjesë e shoqërisë dhe është pikërisht kjo bukuria që sjell arti.

Një ekspozitë e tillë u zhvillua për herë të parë në qytetin e Durrësit dhe mesa duket do të ketë ndikim pozitiv në sensibilizimin e njerëzve për t’i parë personat me sindromën Down si njerëz që kanë dëshira, pasione e ndjenja si ne, si gjithë pjesa tjetër e shoqërisë dhe të mos mëshirohen, por përkundrazi të nxirren në pah vlerat e tyre.

R.O.