Mbrëmë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është hapur edicioni i 13-të i ekspozitës “PranverArt”.
Krahas dhjetra piktorëve dhe skulptorëve nga i gjithë vendi, Durrësi u prezantua në këtë ekspozitë me 3 artistë të mirënjohur, si skulptori Idriz Balani dhe 2 piktoret Emjona Stasi dhe Shpresa Bajko.
Skulptori Balani, autor i dhjetra veprave të ekspozuara brenda dhe jashtë vendit, u prezantua në këtë ekspozitë me 2 punime, portretin në allçi të inxhinierit Ismail Hamiti, të ndarë nga jeta pak kohë më parë dhe punimin në rezinë të bibliografes Teuta Dhima.
Kush është Ismail Hamiti?
Ismail Hamiti lindi më 9 prill të vitit 1939 në fshatin Dolan të rrethit të Filatit, Çamëri. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1966 në universitetin e Tiranës me rezultate shumë të mira dhe u diplomua inxhinier mekanik.
Një moment i shënuar në karrierën dhe arritjet profesionale të inxhinier Hamitit është projektimi dhe zbatimi i prodhimit të Eskavatorit të parë shqiptar D-500.
Që nga viti 1967 ka dhënë mësim në sistemin pa shkëputje nga puna në fillim në shkollat e mesme e më pas në filialin e Durrësit të Universitetit të Tiranës.
Në vitin 1994 fillon punë si drejtor i flotës tregtare shqiptare. Në vazhdim e deri në daljen në pension punon në Bashkinë e Durrësit.
Me rastin e 75-vjetorit të lindjes, ai u nderua nga bashkia Durrës me titullin “Nderi i qytetit”.
Inxhinieri Hamiti u nda nga jeta më 20 mars 2021.