Pasditen e së hënës, Forumi Bizantin ziente nga zërat e piktorëve të vegjël të studios “Da Vinçi”. 33 tablo ku pasqyroheshin disa nga sitet arkeologjike dhe historike më të rëndësishme të Durrësit ishin pjesë e ekspozitës “Qyteti im”. Organizatorja e këtij aktiviteti, piktorja e njohur durrsake Alketa Tragaj, bën të ditur dhe arsyet se pse u përzgjodh një tematikë e tillë.
“”Qyteti im” ka si qëllim ekspozimin dhe rijetëzimin e të gjitha siteve arkeologjike të qytetit. Duke u njohur me sitet arkeologjike dhe trashëgiminë e qytetit njihemi dhe më nga afër me historikun e Durrësit”.
Duket se piktorët e vegjël kanë punuar me mjaft dashuri dhe përkushtim, për të risjellë në telajo disa nga sitet dhe monumentet emblematike të qytetit 3000-vjeçar.
“Ata e kanë marrë si argëtim pikturimin e këtyre monumenteve. Është një emocion shumë i madh dhe ekspozita flet qartë për impenjimin, por njëkohësisht edhe kënaqësinë që ata kanë provuar gjatë realizimit të këtyre tablove”,- thotë Tragaj për “DurrësLajm”.
Për t’i dhënë ekspozitës një karakter më gjithëpërfshirës ishte ideuar ndërthurja e elementëve muzikorë me zërin brilant të këngëtares së re Lizarda Beqiraj.
Në përfundim të ekspozitës, piktorja Tragaj shpërndau certifikatat dhe çmimet përkatëse për artistët e vegjël.
M.B.