Ekspozita “Udhëtarët e dijes” e realizuar nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare të kolegjit “Turgut Ozal” u hap paraditen e sotme pranë mureve rrethuese të Durrësit.

Me dhjetëra projekte të realizuara gjatë orëve mësimore, të ekspozuara në stenda të veçanta, u panë nga afër nga prefekti i qarkut Durrës, Roland Nasto dhe Drejtori i Arsimit dhe Kulturës në bashki, Ardian Gurra, që vlerësuan impenjimin maksimal të nxënësve të këtij kolegji.

“Ngela i mahnitur prej të gjitha projekteve, që kishin paraqitur nxënësit. Është një gjë shumë e mirë, sepse në këtë formë, mësimi ndërthuret me praktikën. Në tavolina ka projekte nga të gjitha fushat e shkencës dhe artit vizual.  Kjo ekspozitë është dëshmi e punës së jashtëzakonshme që bën drejtoresha dhe trupa pedagogjike për të rritur më tej dijet e nxënësve“,– tha prefekti Nasto.

Ndërkohë, drejtoresha e kolegjit, Frida Merdani, tregoi për “DurrësLajm” se punimet e përfshira në ekspozitë janë realizuar përgjatë këtij viti arsimor dhe janë fryt i punës në grup, por edhe individuale të nxënësve të klasave VI-IX të këtij kolegji.

“Është një ekspozitë ku paraqiten punimet e nxënësve në lëndë të ndryshme. Nxënësit, krahas mësimeve, kanë realizuar projekte, aktivitete, konkurse dhe lojëra të ndryshme. Një pjesë e tyre janë të ekspozuara sot këtu. Projektet që ata bëjnë jashtë orëve të mësimit i zhdërvjellsojnë, i bëjnë më aktivë”,– tha Merdani.

Në punimet e tyre, nxënësit e këtij kolegji, që renditet ndër shkollat jopublike më të mira në Durrës kishin pasqyruar më së mirë përvetësimin e dijeve mësimore gjatë këtij viti arsimor.  

M.B.