Artistët e rinj durrsakë patën mundësi këtë javë të ekspozonin disa nga punimet e tyre të realizuara së fundmi në një ekspozitë të përbashkët në hollin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Elio Bajramaj, Franc Priska, Erisa Bekteshi, Florian Bregu dhe Ivo Moja, ish-nxënës të shkollës së mesme artistike “Jan Kukuzeli”, sollën para artdashësve durrsakë punimet e tyre më të mira në pikturë e skulpturë. E kombinuar si një ndërthurje mes pikturave, skicave, punimeve në qeramikë e atyre në gur lumi, ekspozita tërhoqi mjaft artdashës ditën e parë të hapjes së saj.
Për t’u theksuar është fakti se pjesa më e madhe e vizitorëve ishin kryesisht të rinj, çka dëshmon se dhe brezi i ri shfaq interes për të parë nga afër punimet artistike dhe ekspozitat që hapen në qytetin tonë. Fjalën e hapjes në këtë ekspozitë e mbajti kuratorja e saj, piktorja Shpresa Beqiri, e cila theksoi se ndihej krenare që ish-nxënësit e saj dhe të bashkëshortit, të ndjerit Nikolet Vasia ishin së bashku në hapjen e ekspozitës dhe po promovoheshin para artdashësve si artistë të rinj.
Arti ka aftësinë të komunikojë me të gjitha format dhe tek të gjithë prandaj ajo u uroi këtyre të rinjve që sapo janë futur në rrugën e tij të vështirë të kenë aftësi të afirmohen në të ardhmen. E vetmja femër mes katër kolegëve të saj meshkuj, Erisa Bekteshi, u shpreh se ndihej mirë që merrte pjesë në këtë ekspozitë, pasi së bashku me kolegët e saj kërkonte t’u transmetonte artdashësve mesazhin se Durrësi vazhdon të nxjerrë artistë të rinj. Ndërsa skulptori Ivo Moja theksoi se pjesa më e madhe e punimeve ekspozohen për herë të parë para durrsakëve dhe ai e kolegët e tij kanë eksperimentuar në disa prej tabllove e punimeve të qeramikës për të tentuar të sjellin risi në artin e tyre.
Ndër ata që morën fjalën në hapjen e kësaj ekspozite ishte edhe Erion Veliaj, i cili theksoi se këtë herë nuk vinte me petkun e politikanit, por për të thënë dy fjalë për artin dhe për të gjithë artistët e rinj që tentojnë të afirmohen, të bëjnë emër në këtë fushë. Ai përmendi faktin se në një moment kur teknologjia ka përparuar në nivele të paimagjinueshme kohë më parë, çmimi Oskar fitohet nga një film pa zë dhe bardhë e zi siç ishte “The artist”. “Ky fakt,- nënvizoi Veliaj,- na lë të kuptojmë se arti komunikon edhe pa fjalë, edhe pa ngjyra, ai arrin të bëhet i lexueshëm dhe i kuptueshëm”.
I pranishëm në përurimin e ekspozitës së artistëve të rinj durrsakë ishte dhe kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, i cili gjatë fjalës së tij u ndal në një element domethënës. “Para gati dy vjetësh kur hapëm galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” unë isha skeptik lidhur me funksionimin e saj, pasi nuk besoja se kishim kaq shumë artistë. Ndërsa tani galeria duhet të prenotohet shumë muaj më parë”,- tha Dako. Kryebashkiaku iu referua faktit se ekspozita e artistëve të rinj u hap në hollin e pallatit të kulturës, pasi në galerinë e artit pamor në po të njëjtën ditë u hap ekspozita me fotot e aktorit Aleksandër Moisiu, në kuadër të javës kulturore kushtuar kësaj figure të rëndësishme.