DURRËS, 26 nëntor 2014 – Ditën e sotme, me rastin e përkujtimit të ngritjes së flamurit në Durrës, “Shoqata Për Mbrojtjen e Vlerave të Durrësit” ka organizuar eventin “Ekspozitë fotografike” pranë Galerisë Jozef për t’i ofruar të ftuarve, momente delikate dhe të papërsëritshme të asaj kohe, një udhëtim në retrospektivë, ngjarje të arta historike e mbi të gjitha: portretet e patriotëve durrsakë të cilët kontribuan dhe bënë të mundur ardhjen e Ismail Qemalit në Durrës, ngritjen e Flamurit të lirisë në qytetin tonë, para 102 vjetësh, Shoqërimin e Ismail Qemalit për në Vlorë deri në Shpalljen e Pavarësisë me 28 Nëntor 1912.
Ndër të ftuarit në këtë eveniment përkujtimor dhe festiv qenë edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit z. Vangjush Dako, Prefekti i Qarkut z. Rolant Xhelilaj, përfaqësues nga komunitetet fetare e partitë politike.
Organizatorët e ekspozitës duke vënë në pah rëndësinë e veprës së këtyre patriotëve durrsakë, përcollën mesazhin e bashkëpunimit duke theksuar se historinë e një populli mund ta bëjnë vetëm njerëz të përkushtuar me shpirt e zemër pas interesave të atdheut.
/ agjencia e lajmeve Dyrrah”/





