ITALI– Me rastin e shtatë vjetorit të ndarjes nga jeta të piktorit të famshëm shqiptar, Ibrahim Kodra, fondacioni me të njëjtin emër do të hapë një ekspozitë në Shtëpinë-Muze të artistit me origjinë nga Ishmi.
Siç bën të ditur Fatos Faslliu, drejtuesi i fondacionit “Ibrahim Kodra”, në ekspozitën kolektive do të përfshihen piktorë, që janë pjesë e historisë së pikturës italiane në vitet ‘900.
Në ekspozitën “Vizione të thella” do të përfshihen krtahas veprave të Ibrahim Kodrës edhe ato të piktorëve të njohur italianë si Gianni Dova, Arnaldo Pomodoro, Renato Guttuso, Roberto Crippa, Remo Brindisi, Ernesto Treccani dhe Bruno Cassinari.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 12 deri në 17 shkurt, në Shtëpinë-Muze të Ibrahim Kodrës, në Milano. Ekspozita do të hapet ditën e martë, në orën 18.00 dhe do të qëndrojë e çelur deri të dielën nga ora 16.00-19.00.
Ibrahim Kodra lindi në Ishëm më 22 prill 1918 dhe vdiq më 7 shkurt 2006 në Milano ku jetonte prej 30 vjetësh. Jeta e tij në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri”, ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.
Më pas ai spostohet në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Piktori i madh shqiptar ka ekspozuar në Romë, Milano, Venecia, Paris, Belograd, Nju Jork, dhe ka pasur kontakte të shumta me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Shagall, Matis, Fontana, Guttuso, me poetë, shkrimtarë, kritikë e regjisorë nga Montale dhe Sereni, nga Bertoni tek Munari dhe Marotta.
Ibrahim Kodra ka lënë pas rreth 6 mijë vepra, të shpërndara në muze private, koleksionistë etj. Vetëm 2 mijë prej tyre janë të regjistruara dhe të dokumentuara.