“I kemi të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare”, kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Taulant Balla kur u pyet në lidhje me ekstradimin e mundshëm të Durim Bamit nga Dubai.
Gjatë fjalës së tij në një prononcim për mediat, ministri Balla ka thënë se janë në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara dhe se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK për esktradimin e Bamit.
Pyetje: Në Dubai, një vend që Shqipëria nuk e ka një marrëveshje ekstradimi, së fundmi janë kapur 6 persona që në fakt janë lënë të lirë për shkak të mungesës së ekstradimit. Ndërkohë që së fundmi, kemi kapur dhe një person të shpallur në kërkim, siç është Durim Bami. Sa janë gjasat që Shqipëria të bëjë një proces dëbimi me INTERPOL për të sjellë Durim Bamin në Shqipëri?
Taulant Balla: Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara Arabe me të cilët kemi një komunikim të shkëlqyer dhe që dua ta them shumë qartë se jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK, nga pala e Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjithë provat e paraqitura nga pala shqiptare, do të vlerësohen nga autoritetet gjyqësore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe unë jam i bindur se kjo qasje e krijuar se Emiratet apo Dubai është një oaz ku mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë, dhe autoritetet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë se raste si rastin që ju përmendët, i kemi të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare.
Një sqarim lidhur me fshehjen e eksponentëve kriminalë në Dubai ka dhënë dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Muhamet Rrumbullaku: Marrëveshjet e ekstradimit që shteti shqiptar, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme që vendos me vendet evropiane dhe më gjëra kanë të bëjnë me të drejtën e shtetit shqiptar për të ekstraduar me qytetarët e vet. Për të gjithë personat e shpallur në kërkim ndërkombëtar, drejtësia shqiptare nuk ka nevojë për marrëveshje ekstradimi, janë dhe prevalojnë vendimet gjyqësore të vendeve përkatëse.
I shumërkërkuari Bami është ndaluar në Dubai, në bazë të masës së sigurisë lëshuar nga SPAK, si i përfshirë në organizim atentatesh në Shqipëri. 45-vjeçari u arrestua në fillim të Qershorit, disa javë pasi u shpall në kërkim nga SPAK, pasi emri i tij doli në komunikimet e zbërthyera të aplikacionit SKY. Nga bisedat e verifikuara nga SPAK, rezulton se ai ka krijuar kushtet për vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka, Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit.