Gjykata e Durrësit pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi të zhvillojë gjykimin për ekstradimin e Alket Hatisë drejt Italisë. Alket Hatia është liruar nga Shkalla e Parë në muajin korrik, ndërsa sot në gjyq u përfaqësua nga avokati Erjon Bogdani.
Avokati ka kërkuar refuzimin e ekstradimit për në shtetin italian, pasi sipas tij e ka shlyer dënimin në Shqipëri, meqënëse: “kemi të bëjmë me të njëjtën vepër penale ushtruar në vazhdimësi në 2 shtete të ndryshme (Shqipëri dhe Itali). Nuk duhet të japim vendim pro ekstradimit për Alket Hatinë sepse shteti italian ka zhvilluar gjyqin në mungesë ndërkohë që ai vuante dënimin në Shqipëri”.
Trupa gjyqësore nuk e pranoi këtë kërkesë dhe vendosi që të zhvillohet procesi gjyqësor, në të cilin do të shqyrtohen faktet penale në ngarkim të Hatisë. Seanca e radhës e cila do të zhvillohet përtej afateve të parashikuara në ligj, në datën 25 tetor ora 11:00.
Sipas medieve në Itali, gjatë viteve 2003-2004, Hatija kishte trafikuar në Milano rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro. Ai është pagëzuar nga mediat italiane edhe si baron i drogës.





