4 nëntor 2015 – Top Channel ka mësuar nga autoritetet britanike të drejtësisë se, biznesmeni italian Francesco Becchetti, ndaj të cilit Prokuroria shqiptare kishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti, është paraqitur përpara “Westminster Magistrate Court” në datën 26 tetor.
Të njëjtat burime konfirmojnë se, sipërmarrësi italian do të paraqitet në seancën e ardhshme gjyqësore në datën 7 dhjetor në të njëjtën gjykatë.
Lirimi i tij deri në këtë datë është bërë me kusht. Kushtet e vëna ndaj Becchetti-t janë ato të banimit në adresën e tij në Londër, si dhe një orar i mbikëqyrjes policore nga 11 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.
Becchetti ka dorëzuar pasaportën e tij pranë autoriteteve policore britanike dhe nuk duhet t’u drejtohet pikave kufitare aeroportuale dhe detare, si dhe agjencive të udhëtimit. Ndërkohë për të siguruar lirimin me kusht të Francesco Becchetti-t është vendosur një shumë garancie financiare prej 50 mijë stërlinash – i thanë Top Channel zyrtarë të Departamentit të Ekstradimeve pranë gjykatës së Magjistraturës “Westminster” në Londër.
Proceset e ekstradimit në Britani zgjasin me muaj të tëra dhe Prokuroria shqiptare duhet të përfaqësohet në proces nga një jurist i Shërbimit të Prokurorisë Mbretërore britanike. Duket e vështirë data e raportuar në mediat shqiptare për një rikthim të Becchettit në Shqipëri, nëse ai do të ndodhë, pikërisht brenda datës 15 dhjetor siç është raportuar.
Francesco Becchetti është ndër të tjera edhe pronari i klubit londinez të futbollit, Leyton Orient, në lindje të Londrës.
Ende nuk dihet se cila kompani avokatore mbron Becchettin, pasi ai nuk kualifikohet për ndihmë ligjore nga shtetit britanik, thonë autoritetet zyrtare të drejtësisë.
/portali DurresLajm/