Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda falenderoi ambasadorin e Turqisë, Tayyar Kağan Atay në lidhje me arrestimin dhe më pas ekstradimin e personit shumë të kërkuar, Dritan Rexhepi.
Gjatë takimit me ambasadorin turk, të dy vlerësuan rezultatet e bashkëpunimit historik të Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe me ambasadën e Turqisë në Tiranë, si dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale dhe kapjen e shtetasve në kërkim.
“Bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë ka një bazë solide, sepse mbështetet në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Falenderoj Policinë e Turqisë, për kontributin e vlefshëm që ka dhënë për Policinë e Shtetit, si në aspektin logjistik, ashtu edhe në atë të trajnimeve të punonjësve të Policisë shqiptare. Policia e Shtetit është e hapur për zgjerimin e bashkëpunimit, për të krijuar ekipe të përbashkëta hetimore, duke shkëmbyer informacione dhe zhvilluar operacione të përbashkëta, si dhe për të zhvilluar vizita në të dyja vendet, për shkëmbimin e eksperiencave”, – u shpreh drejtori Ilir Proda. .
Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Tayyar Kağan Atay ka vlerësuar gjithashtu bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese të Republikës së Turqisë dhe Policisë së Shtetit shqiptar dhe garantoi kreun e policisë Ilir Proda se ambasada e Turqisë në Tiranë është e angazhuar maksimalisht për forcimin e këtij bashkëpunimi dhe për ofrimin e mundësive të reja për punonjësit e policisë shqiptare, nga policia turke.