Interpol Tirana në bashkëpunim me strukturat homologe ka ekstraduar dy shtetas të shpallur në kërkim për transport ilegal të emigrantëve si dhe trafik të lëndëve narkotike. Burime të policisë bëjnë të ditur se nga Greqia në Shqipëri është ekstraduar shtetasi Robert Gjika, 32 vjeç, i lindur në Berat. Në vitin 2024, GjKKO-ja i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Ky shtetas dyshohet si pjesëtar i një grupi kriminal që akuzohet në kuadër të megaoperacionit “NOMADA”, se ka transportuar ilegalisht emigrantë, kryesisht në Britani të Madhe.

Personi tjetë i ekstraduar nga Shqipëria në Turqi, është shtetasi turk i shpallur në kërkim ndërkombëtar Mehmet Akman, 50 vjeç. Gjykata e Lartë e Stambollit e ka dënuar këtë shtetas, me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafik i narkotikëve”, ndërsa Gjykata e Lartë e Bakirkoy e ka dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Turqisë. Shtetasi i ekstraduar në Shqipëri iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.