TIRANE – Ekstradohet nga Belgjika ish-mjeku i QSUT-së, Nuredin Feizaj, i dënuar për mjekim të pakujdesshëm. 53-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës, me datë 07.07.2010, e ka dënuar me 3 vjet 6 muaj burg për kryerjen e veprës penale të “Mjekimit të pakujdesshëm dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Policia e Tiranës bën të ditur se “i ekstraduari Nuredin Feizaj, më datën 08.04.2007, ka qenë duke ushtruar detyrën e mjekut në urgjencën e QSUT Tiranë, kur shtetasja Rakela V., ka shkuar në gjendje të rëndë në shërbimin e toksikologjisë, për të marrë kujdesin e duhur mjekësor. Vetëm pak minuta pas largimit nga spitali, kjo shtetase është ndjerë përsëri keq dhe e kanë kthyer sërish në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve ka gjetur vdekjen. Gjatë gjykimit, nga akti i ekspertimit dhe ekspertët e thirrur në gjykim, ka rezultuar se kësaj shtetaseje nuk i është dhënë gjithë ndihma e nevojshme mjekësore dhe nuk është treguar kujdesi i duhur.”