Një 41 vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Anglia në Shqipëri, ku do të vuajë pjesën e mbeur të dënimit. Emirjan Hysaj lindur në Shkodër dhe banues në Koplik të Malësisë së Madhe, ishte dënuar me 21 vjet dhe 4 muaj burg për vrasje.

Transferimi i tij u bë nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, pasi Ministria e Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë miratoi transferimin e të dënuarit Emirjan Hysaj, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga gjykata angleze.

“Ky shtetas është shpallur fajtor në Mbretërinë e Bashkuar për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Plagosje e rëndë me dashje” dhe është dënuar me 21 vjet e 4 muaj burg, nga të cilat ka vuajtur 8 vjet dhe pjesën tjetër të mbetur do e kryejë në institucionet e vuajtjes së dënimit në Republikën e Shqipërisë”.

Hysaj iu dorëzua patrullës së policisë së burgjeve për dërgimin e tij në institucionet e vuajtjes së dënimit, për kryerjen e dënimit të mbetur prej 13 vjetësh e 4 muajsh burg.