Greqi, 18 mars 2014– Ndërkohë që në Greqi, parlamenti po zhvillon procedurat për heqjen e imunitetit të deputetëve të partisë “Agimi Artë”, është publikuar një tjetër video tronditëse kundër shqiptarëve, ku protagonistë duket se janë sërish anëtarët e kësaj partie. Videoja u gjet në kompjuterin e zëdhënësit të “Agimit të Artë”, Ilias Kasidiaris.
Në imazhet filmike duket një person i maskuar dhe i armatosur, që bën qitje me pistoletë duke dialoguar me dikë tjetër. Në këtë video, të xhiruar në vitin 2009, personi i maskuar si personazhi komik i “Scary Movie” fillimisht qëllon me një pistoletë. Më pas një person thotë shprehimisht “Shqiptar”, ndërsa disa të tjerë nisin të qëllojnë.
Kjo video është pjesë e dosjes pwr anëtarët dhe deputetët e "Agimit të Artë", të cilët akuzohen për krijim dhe drejtim të organizatës kriminale.Ndërkohë komisioni parlamentar i Etikës votoi dhe rekomandoi sot për heqjen e imunitetit të kreut të partisë, Nikos Mihaloliakos, deputetit Kristos Papas dhe Nikos Lagos, të cilët ndodhen në burg në pritje të gjykimit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





