37 është numri i të shoqëruarve deri më tani në komisariatin e policisë së Durrësit, në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në Fllakë, ku u ekzekutua 42-vjeçari Xhevahir Brasha.

Nga burime zyrtare policore mësohet se mes të shoqëruarve janë edhe të afërm të viktimës, si dhe personat që kishin pasur kontakte së fundmi me të ndjerin.

Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se autori i atentatit ka qenë një i vetëm dhe i ka zënë pritë, kjo nisur nga këqyrja e viktimës dhe vendit ku ndodhi krimi.

Nisur nga këqyrja e trupit të viktimës, sipas të njëjtave burime mësohet se viktima është qëlluar me 3 plumba në shpatull, nga mbrapa, çka do të thotë se nuk e ka parë autorin që i zuri pritë.

Hetimet

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se dy janë pistat kryesore ku po mbështeten hetimet, konfliktet e hershme që ka pasur në Angli dhe mosmarrëveshjet në lidhje me trafikun e mundshëm të qenieve njerëzore.

Policia ka të dhëna se Xhevahir Brasha merrej me falsifikimin e dokumenteve dhe ishte i implikuar në trafikimin e qenieve njerëzore drejt Anglisë.

Viktima përdorte disa identitete

Policia dyshon që viktima kishte probleme me drejtësinë, pasi mbante dy identitete. Nga policia viktima është identifikuar me emrin Xhevahir Brasha, ndërsa vitet e fundit ai përdorte edhe emrin Agim Cakaj.

Veç këtyre dy emrave të njohur tashmë për të gjithë, mësohet se 42-vjeçari përdorte gjithashtu edhe disa identitete të tjera në Angli.