Policia e Krujës ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen e Fatmir Pulajt mbrëmjen e shkuar në fshatin Zezë. 44-vjeçari nuk rezulton me precedentë penalë, dhe as familja e tij. Pista kryesore mbetet për policinë ajo e një vrasjeje për shkak të ndonjë lidhjeje intime të pazbuluar, që solli edhe atentatin ndaj babait të dy fëmijëve.

“Nga hetimet rezulton se viktima nuk ka asnjë konflikt të hapur me persona të tjerë, dhe as familja e tij. Nuk ka çështje gjakmarrjeje, nuk ka as problem vëllai i tij, që është punonjës policie në komisariatin e Krujës. E vetmja mundësi është vrasja për motive xhelozie për ndonjë femër. Bashkëshorten e tij nuk e kemi marrë ende në pyetje për shkak të ngjarjes që u ka ndodhur, por paraprakisht nga të afërm të tjerë nuk mendojmë se krimi ka motiv familjar”, pohuan burime nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e vrasjes.

Policia ka dhënë edhe detaje të tjera. “Trupi i viktimës u gjet në rrugë nga drejtuesi i një furgoni që po kthehej në shtëpi. Drejtuesi i furgonit ka lajmëruar policinë, e cila e gjeti në rrugë pak metra larg banesës së tij 44-vjeçarin të pajetë. Ishte qëlluar me 4 plumba pistolete nga një distancë e afërt. Kemi të bëjmë me një atentat të mirëfilltë të menduar mirë nga autori. E ka qëlluar katër herë në trup nga një distancë e afërt, dhe ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Autori fillimisht ka lënë një thes të mbushur me gjethe, në mes të rrugës duke i zënë rrugën viktimës. Në momentin që 44-vjeçari ka zbritur prej makinës së tij për të larguar thesin nga rruga, është qëlluar në drejtim të tij me pistoletë. Autori është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur në errësirën e natës”, pohuan burimet.

K.H.