SHKODER, 5 tetor 2013 – Dy ditë pas ekzekutimit të 47-vjeçarit Çesk Lekaj në periferi të Shkodrës, efektivët e policisë së këtij qarku, pohojnë se krimi ka ndodhur pas një konflikti që ka pasur viktima pak orë para ngjarjes. Kështu, grupi hetimor ka përjashtuar pistën e hakmarrjes, pasi kanë verifikuar të kaluarën dhe të afërmit e tij. Familjarët e 47-vjeçarit, baba i 6 fëmijëve, janë marrë në pyetje dhe policia ka ndërtuar trajektoren e lëvizjeve të viktimës, duke futur brenda të dyshuarve edhe personat me të cilët është shoqëruar. Ndërkaq, sipas hetuesve, janë dy ose më shumë persona që kanë marrë pjesë në vrasjen e 47-vjeçarit. Ky përfundim mbështetet në faktin se, në momentin që ka ndodhur ekzekutimi, është ndërprerë energjia elektrike në të gjithë zonën. 
 

HETIMET 

Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër është duke u marrë intensivisht me vrasjen e 47-vjeçarit Çesk Lekaj, i cili jetonte bashkë me familjen e tij në periferi të qytetit, ku pjesa më e madhe e banorëve janë të ardhur nga Malësia e Madhe ose Dukagjini. Ndërkaq, hetuesit e çështjes kanë hedhur poshtë pistën e hakmarrjes apo gjakmarrjes, pasi emri i viktimës apo i familjarëve të tij nuk lidhet me ndonjë vrasje. Po ashtu është hedhur poshtë edhe mundësia e një konflikti për baste për ndeshje futbolli, pasi nga hetimet është mësuar se viktima nuk ishte frekuentues i tyre. Sipas policisë, mes autorëve dhe viktimës nuk ka pasur asnjë debat në momentin e ngjarjes apo disa minuta para dhe nga ndërtimi i skenës së krimit pohohet se vrasja ishte e paramenduar. Dyshohet se autorët kanë qenë në dijeni të të gjitha lëvizjeve të viktimës. Ndërkaq pohohet se vetëm njëri nga autorët ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në drejtim të 47-vjeçarit, duke derdhur mbi trupin e tij 16 plumba, ndërkohë që të dy personat, pas krimit, dyshohet se janë larguar me motoçikletë nga vendi i ngjarjes. Burime konfidenciale nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, bëjnë me dije se autorët e vrasjes së babait të 6 të fëmijëve, mund të jenë banorë të lagjes. Për këtë arsye, zona ku banonte viktima është vënë në mbikqyrje. Çesk Lekaj, punëtor ndërtimi, u ekzekutua rreth orës 3:00 të mëngjesit të së enjtes, ndërsa po kthehej nga një lokal i lagjes "Kiras" për në banesën e tij, pasi kishte parë një ndeshje futbolli. 

/BalkanWeb/