Vrasja e babit nga tre fëmijët në fshatin Shënavlash të Durrësit padyshim është ngjarja e cila ka tronditur opinionin publik ditët e fundit.

Krimi makabër u zbulua më 23 shkurt, kur policia gjeti trupin e 49-vjeçarit të groposur në kasollen e lopës, në oborrin e shtëpisë në fshatin Shënavlash të Durrësit. Ai ishte shpallur i zhdukur prej 13 shkurtit, pas denoncimit të djalit të madh se kishte humbur kontaktet me babanë.

Prej asaj ditë ngjarja ka marrë rrjedhë të ndryshme, pasi dëshmitë e tre fëmijëve të Pëllumb Metës japin dëshmi kontradiktore në sallën e gjyqit. Gjithashtu të shumta janë edhe dëshmitë e bashkëfshatarëve, të afërmve dhe personave të cilët kanë qenë pranë familjes Meta.

Një detaj i cili gjithashtu është shumë tronditës është zbuluar nga dëshmitë e disa bashkëfshatravë të familjes Meta.

Sipas dëshmive për mediat, nëna e Blerina Metës, e cila akuzohet për vrasjen e burrit, babait të tre fëmijëvë, Pëllumb Metës, Sanije Tuga ka vrarë me çifte para disa vitesh vjehrrën e saj.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në maj të vitit 2010, ku policia e Kurbinit ka arrestuar gjyshen e tre fëmijëve Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta, pasi kjo qëlloi për vdekje me çifte vjerrhën e saj, gjithashtu edhe nga të shtënat me çifte i plagosur ka mbetur burri i Sanijes, ndryshe gjyshi i tre fëmijëvë që vranë babanë.

“14 vite më parë Sanije Tuga u konfliktua me vjehrrën, Behare Tugën. Pas sherrit, Behares i doli në mbrojtje i biri (bashkëshorti i Sanijes, babai i Blerina Metes). 52-vjeçarja ka marrë çiften dhe qëlloi në drejtim të vjehrrës dhe bashkëshortit. Vjehrra ndërroi jetë ndërsa burri i saj mbeti i plagosur.”

Ndërsa sot me pranga në duar tre fëmijët e Pëllumb Metës, të cilët më 10 shkurt vranë babain e tyre dhe më pas e groposën, janë njohur këtë të hënë me masën e sigurisë. Gjykata ka dhënë masën “Arrest me burg” për Hysen, Amarildon dhe Hygerta Metën, të cilët akuzohen për vrasjen e babait të tyre, 49 vjeçarin, Pëllumb Meta.

Hysen Meta akuzohet për vrasje në rrethana familjare, Hygerta Meta për fshehje dhe asgjësim të kufomës, ndërsa Amarildo për asgjësim të kufomës në bashkëpunim.

Tre fëmijët e viktimës Pëllumb Meta Në seancën e sotme tre fëmijët e viktimës u braktisën nga të gjithë të afërmit, ku asnjë prej familjarëve të tyre nuk ndodhej në sallën e gjyqit.

Para togave të zeza, Hysen Meta ka hedhur poshtë deklaratën e bërë më herët ku pranoi se autori i vrasjes së të atit ishte ai. 25-vjeçari ndryshoi dëshminë e tij duke hedhur akuza në drejtim të motrës se ajo e ka kryer aktin makabër, duke vrarë me 4 plumba babain dhe jo ai. 25-vjeçari theksoi se e motra e vrau pasi i ati donte ta fejonte me zor.

“Se kam bere unë vrasjen. Të flasë kush e ka bërë! Kam qenë prezent! Motra ka qëlluar babain! Hygerta. E qëlloi se donte ta fejonte me zor! Kishin debatuar shumë herë! S’kam qenë i pranishëm gjithmonë. Babi mua s’më pyeste për ketë pjesë! Marrëdhëniet i kam pas jo shume të mira! Kam thënë ndryshe para oficerit sepse isha i hutuar dhe na ka ardhur keq. Për atë që ka ndodhur”, – tha ai.

Ndërsa, Hygerta Meta, deklaroi se vëllai i vogël dhe nëna nuk kanë qenë në banesë në momentin e vrasjes dhe se lajmin për vdekjen e kryefamiljarit e kanë marrë vesh më vonë. Ndër të tjera, ajo pohoi se më pas së bashku me nënën, Blerina Metën dhe vëllain e vogël, Amarildo Metën, janë marrë me fshehjen e gjurmëve.

“Vëllai dhe nëna kanë mësuar vrasjen më vonë kur kanë ardhur në banesë. Jemi marrë me fshehjen e armëve dhe gjurmëve”, – ka thënë Hygerta Meta në Gjykatë.

Ndërkohë, djali i vogël Amarildo Meta ka deklaruar se kur është kthyer nga puna nëna i ka thënë se babai është vrarë.

“Gjeta mamanë e shqetësuar në shtëpi dhe pastaj me tha që ishte vrarë babai. Sapo kisha ardhur nga puna. Dhe aty nisëm të kryejmë veprimet për ta fshehur. I kërkova makinën shokëve që të largonim automjetin tjetër”, ka deklaruar Amarildo Meta.

“Vrasja me dashje e personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ishbashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në nenin 79 pika C të Kodit Penal.

Dhe për Hygerta Metën, studenten 19-vjeçare, janë ngritur dy akuza: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, duke qenë se Kodi Penal nuk parashikon burgim të përjetshëm për gratë, Hygerta Meta, rrezikon dënimin nga 20 deri në 35 vite burg.

Ndërsa, vëllai i vogël, Amarildo Meta, mbi të cilin rëndojnë akuzat “Fshehja ose asgjësimi i kufomes”, rrezikon deri në 5 vite burg.