Durrës, 6 prill 2014 – Mbi 50 persona janë shoqëruar në komisariatet e policive Tiranë, Durrës, Krujë e Burrel për të dhënë dëshminë e tyre mbi vrasjen e 35 vjeçarit Gjin Nika si dhe njohjen që kanë pasur me të. Pjesa dërmuese e të shoqëruarve janë persona me të cilët 35-vjeçari ka pasur konflikte të vazhdueshme. Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit është kryer me pagesë, ndërsa sqaron se janë të shumtë personat që kanë dashur eliminimin fizik të 35-vjeçarit nga Burreli.

Me gjithë angazhimin e shumë forcave policore në drejtim të hetimit për zbardhjen e ngjarjes, ku mbeti i vrarë biznesmeni i kromit Gjin Nika dhe shoku i tij Fabio Xhunga, nuk ka asnjë të dyshuar si autor të atentatit.

Grupi hetimor e ka përqendruar punën e tij në disa pista, ku më shumë përparësi i ka dhënë hakmarrjes. Kjo nisur edhe nga CV-ja e gjatë me precedentë kriminalë e biznesmenit të kromit. Hetuesit e ngarkuar për zbardhjen e atentatit mafioz të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në afërsi të Urës së Tapizës, ku mbetën të vdekur dy persona, po analizojnë frekuencat filmike të shkëputura nga kamerat e instaluara në bizneset që operojnë përgjatë aksit nacional Fushë-Krujë-Tiranë.

Gjithashtu po merren vazhdimisht në pyetje banorët e zonës ku ndodhi ngjarja, nëse kanë parë ndonjë gjë të dyshimtë mbrëmjen e atentatit. Për momentin, pamjet filmike dhe telefonat celularë të viktimave të gjetur në vendin e ngjarjes janë shpresa e agjentëve për të identifikuar autorët.

Akuzat e shumta për vrasje e plagosje, rekrutimi i personave për t’i dërguar më pas në Siri, si dhe përfshirja në disa vrasje me pagesë në qytete të ndryshme të vendit të 35 vjeçarit Gjin Nika e vështirësojnë punën e policisë për zbardhjen e ngjarjes, ku veç Nikës humbi jetën dhe 33 vjeçari Fabio Xhunga, banues në Kamëz.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/