Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim dy persona që dyshohet se kanë ndihmuar në organizimin e atentatit ndaj 29-vjeçarit Ermir Dedja, i cili u vra me armë zjarri në lagjen nr. 8 të qytetit bregdetar.
Të dy personat e shpallur në kërkim, dyshohet se kanë siguruar logjistikën për autorët, përfshirë automjetin që u përdor në ngjarje si dhe informacionet për vendndodhjen e 29-vjeçarit.
Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës kanë arritur të rikuperojnë disa prova nga mjeti i djegur në zonën e Gërdecit, të cilat janë dërguar për analizë në laboratorin shkencor dhe pritet të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.
Sipas hetimeve paraprake, pista kryesore lidhet me të kaluarën kriminale të Dedjes. Ai ishte një emër i njohur për policinë, i përfshirë në disa aktivitete të paligjshme gjatë viteve të fundit.





