TIRANE, 15 mars 2013- Pas tri ditësh, 18-vjeçarja Nazime Visha pritet që të përballet me trupin gjykues për vrasjen e kryer para 8 muajsh.

Dosja ka mbërritur pranë Gjykatës së Tiranës dhe çështja është regjistruar më 13 shkurt të këtij viti, ndërkohë që theksohet se seanca e parë për gjykimin e 18-vjeçares do të zhvillohet më 18 mars.

Mbi Nazime Vishën rëndon akuza e “Vrasjes me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Çështja do të gjykohet nga gjyqtari Gerd Hoxha. 

NGJARJA 

Më datë 13 gusht të vitit të kaluar, Fiqiri Muça me mjetin e shtetasit Myrvet Bardhi është nisur nga qyteti i Durrësit pranë banesës së gjyshes së Nazime Vishës. Sipas policisë, kjo e fundit ka pritur me të shtëna kallashi 45-vjeçarin, të cilin e akuzon se e ka përdhunuar dhe donte ta trafikonte. Ngjarja mori përmasa të mëdha mediatike, ndërkohë që tronditi mbarë opinionin e vendit. Pak kohë pas ngjarjes, 18-vjeçarja ka pranuar para forcave të policisë se ajo ka qenë autorja e ekzekutimit të 45-vjeçarit Fiqiri Muça, i martuar dhe babai i pesë fëmijëve. Sipas përcaktimit të policisë, krimi ndodhi në datën 13 gusht, orën 00:50, në fshatin Qendër-Krrabë. Pak ditë pas ngjarjes, Nazime Visha ka pohuar në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” se nuk ishte penduar për krimin që kishte bërë, pasi sipas saj “më mirë të rrinte në burg, sesa të bënte jetën që bënte jashtë”. Madje, 18-vjeçarja ka rrëfyer se 45- vjeçari i shkatërroi ëndrrat për jetën, duke i prishur edhe fejesën. “Nuk e vrava Fiqiriun se më përdhunonte, por se më ndau nga i fejuari. Unë kisha bërë gati edhe pajën, për t’u martuar në gusht”, ka rrëfyer 18-vjeçarja Nazime Visha pak ditë pas qëndrimit të saj në Burgun 313.