Arrestohet në Athinë porositësi i vrasjes së ish-komisarit Artan Cuku. Bledar Jambelli ka rënë në prangat e Interpolit grek. Jambelli fshihej me dy emra, pasi njihej edhe si Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier. Ai porositi vrasjen e Cukut në prill të 2017-s ngjarje kjo e ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve” në shkallët e pallatit ku banonte ish-komisari.
Që në fillim ngjarja u hetua si hakmarrje. Arrestimi i autorit të krimit, Mikel Shallari çoi në zbulimin e dinamikës së vrasjes. Duke marrë statusin e të penduarit të drejtësisë, Shallari rrëfeu se ishte paguar 3 mijë euro nga Bledar Jambelli për vrasjen e Cukut për hakmarrje, pasi disa vite më parë e kishte arrestuar kur ish-komisari mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës.
Njoftimi i Policisë:
Falë bashkëpunimit ndërkombëtar, bie në praga i dyshuari kryesor për porositjen e vrasjes së ish-oficerit të lartë të Policisë A.C.
Në kuadër të shkëmbimit të informacioneve me zyrat homologe dhe bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Athinën është finalizuar me sukses arrestimi në Athinë / Greqi, i personit në kërkim ndërkombëtar, Bledar Jambelli, alias Rikardo Muho, 38 vjeç, lindur në Fier.
Nga hetimet e kryera nga Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dyshohet se ky shtetas ka porositur vrasjen e A.C.
Po nga hetimi rezulton se motivi i krimit lidhet me arrestimin e tij në kohën kur viktima kryente detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorë.
Ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ana jonë më datë 13.06.2017, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me vendimin nr. 292, datë 12.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë Arrest me burg, për veprën penale “Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79/b dhe 25 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij në Greqi me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.





