Olsi Nexhipi është një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e babait të tij, Hyqmet Nexhipit, 52 vjeçarit që u gjet i vdekur dy ditë më parë në qytetin e Vlorës.

“Panorama” shkruan sot se sipas burimeve nga grupi hetimor, nuk përjashtohet mundësia që djali 24-vjeçar të ketë ekzekutuar të atin, pasi pronari i anijes “Drita” kishte konflikte të vazhdueshme me të birin. Ky është një informacion mjaft i rezervuar i dhënë dje nga policia, por nuk jepen të dhëna të tjera rreth motivit të mundshëm. Sqarohet vetëm se Olsi Nexhipi, është një nga personat në listë që po hetohet për ngjarjen.

Ai jeton me të ëmën në një banesë në Vlorë, ndërsa babai i tij jetonte i vetëm, pasi ishte divorcuar prej disa vitesh nga bashkëshortja.

Një ditë pas vrasjes së babait, djali 24-vjeçar u arrestua nga policia për armëmbajtje pa leje dhe posedim të lëndëve narkotike.