Biznesmeni 55- vjeçar Rakip Roli, i njohur edhe si Pilo Roli u ekzekutua të premten në Sanxhak të Kurbinit.

Ai sapo kishte dalë nga banesa e tij dhe po lëvizte me makinën tip ‘Audi Q7’ në aksin e vjetër rrugor Laç-Mamurras, kur dy persona që dyshohet se lëviznin në këmbë, i kanë zënë pritë dhe e sulmuan me armë zjarri të llojit automatik, duke e lënë të vdekur në vend.

Ndërsa Roli humbi jetën menjëherë sapo u qëllua me breshëri automatiku, automjeti luksoz që drejtonte, ka vazhduar të ecë edhe për rreth 10 metra, duke goditur nga pas një makinë tip “Benz”, që lëvizte në drejtim të Mamurrasit dhe më pas ka përfunduar në një kanal buzë rrugës, ngjitur me murin rrethues të një banese.

Atentatorët, të cilët dyshohet kanë qenë dy persona, mendohet se janë pritur nga një automjet, duke u larguar me shpejtësi dhe duke i shpëtuar prangosjes nga Policia.

2 orë pas ngjarjes burimet policore bëjnë me dije se janë identifikuar dy persona si ekzekutorë të dyshuar të 55-vjeçarit.

Ata janë babë e bir me inicialet S. e L. Lika, të afërm të Ilir Lika (Xhepaj, një prej të dyshuarve për ekzekutimin e Bujar Likës dhe Paulin Gjergji (Marku), ngjarje e ndodhur në qershor të vitit 2020 po në Kurbin.

Në momentin e ngjarjes, në zonë ka pasur lëvizje këmbësorësh dhe automjetesh, teksa të shtënat kanë krijuar frike dhe panik.

Një nga dëshmitarët thonë se fillimisht menduan se ishte aksident, por më pas e kanë kuptuar se çfarë kishte ndodhur.

“Sapo kisha dalë dhe po pija kafe te lokali këtu afër. Pashë një makinë, e cila goditi nga pas një mjet tjetër e më pas përfundoi në kanal.

Dolëm jashtë bashkë me persona të tjerë, pasi menduam se ishte aksident. Por kur u afruam pamë viktimën të mbuluar me gjak dhe e kuptuam që ishte vrarë.

Isha brenda lokalit dhe nuk i dëgjova të shtënat, por personat që kanë qenë jashtë na thanë se është qëlluar me breshëri dhe normalisht që ishin frikësuar”, thotë një dëshmitar.