Pas atentatit me vrasje të Ervin Kodrës e Endri Çaushaj, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nga Tirana zbarkojnë në Durrës. Specialët i janë bashkuar policisë së Durrësit, duke u përqendruar me postblloqe në disa pika kyçe të qytetit.

Një numër i madh uniformash blu, të armatosur janë vendosur në zonën para hyrjes së Portit, pikërisht aty ku mbrëmjen e së dielës u qëlluan me breshëri automatiku dy të rinjtë.

Këto forca do të qëndrojnë në Durrës me shërbim deri në fundvit, për të shmangur ndonjë ngjarje tjetër kriminale.

Aktualisht vazhdon të mbetet mister krimi ndaj dy të rinjve. Ervin Kodra, 33 vjeç nga Durrësi dhe 25-vjeçari Endri Çaushaj, nga Vlora u qëlluan për vdekje, nga persona që nuk janë identifikuar. Policia dyshon se atentati i dyfishtë ndodhi për shkak të pazareve të drogës.

K.H.