48 orë pas ekzekutimit të 33-vjeçarit shqiptar Ariton Shaskaj, në qytezën e Velletri-t, në Itali, policia italiane ende nuk ka një pistë hetimi.
Sipas medieve italiane, ekzekutimi i të riut shqiptar, që në rrethin shoqëror njihej si Tony, duket si një vrasje në stilin mafioz.
Gjithsesi hetuesit tregohen të matur, pasi picaioli shqiptar njihej nga të gjithë si njeri i rregullt, ndërkohë që nuk ka asnjë precedent penal.
Kur ende nuk është zbuluar identiteti i vrasësve, hetuesit janë përqendruar tek shqyrtimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë së zonës, tek pyetja e dëshmitarëve okularë dhe familjarëve e miqve të Shaskajt si dhe tek e kaluara e të riut shqiptar.
Hetuesit po shqyrtojnë edhe tabulatet telefonike të picaiolit shqiptar duke shpresuar të hedhin dritë mbi ndonjë motiv të mundshëm që çoi në ekzekutimin e tij.
33 vjeçari shqiptar jetonte në Itali që nga mosha 20 vjeç dhe ishte integruar mjaft mirë në komunitetin lokal.
Shaskaj u ekzekutua para picerisë së tij “Peccati di gola” mbrëmjen e së dielës, ndërsa ndodheshin me të edhe bashkëshortja dhe dy fëmijët e mitur, 4 dhe 5 vjeç.





