Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në lidhje me vrasjen e ndodhur në Ferizaj mbrëmjen e 16 gushtit, ku u ekzekutua me armë zjarri xhaxhai 89-vjeçar i bashkëshortit të saj.
Osmani, përmes një reagimi në Facebook, shkruan se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk kanë asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që çuan në vrasjen e mbrëmshme.
“Reagim ndaj propagandës. Pasi i kam njoftuar institucionet e sigurisë dhe jam në përgatitje e sipër të të gjitha mjeteve ligjore, po e bëj publik edhe këtë reagim ndaj publikimit të propagandës së paprecedentë që ka filluar Berat Buzhala dhe media e tij, gazeta online “Nacionale”, e që po vazhdon edhe nga disa portale të tjera. I njoftoj qytetarët e Kosovës se asnjë njohuri e asnjë lidhje me rrethanat që shpien në vrasjen e mbrëmshme nuk kam as unë e as bashkëshorti im, e aq më pak njohuri për ndonjë rast dhunimi”, ka shprehet presidentja e Kosovës, ndërsa shton se institucionet e sigurisë dhe drejtësisë duhet të merren me këtë rast.