Pas dëshmisë së administratorit të pallatit, të tjera dëshmia mbledhur nga grupi i hetimit thonë se gruaja e ish-kryepolicit Artan Cuku e ka parë autorin.

Sipas dëshmive në grupin hetimor, njëri nga autorët e krimit është parë edhe nga gruaja e Artan Cukut në momentin që ngjit në banesë, shkruan Shqiptarja.com. Nga të dhënat e deponuara, ai ishte i ulur në shkallë, ndërsa kishte në dorë telefonin. 

Ndërsa dëshmitarët që po merren në pyetje kanë deklaruar se debati që kanë dëgjuar mes Cukut dhe autorëve ka qenë me dialekt verior duke rikthyer në qendër të hetimit dosjen e vetëvrasjes së të riut nga Shkodra me armën e Cukut në 2005. 

Dëshmia e parë: Pashë një djalë që po shkruante në telefon, kokën e mbante poshtë

Administratori i pallatit ka folur lidhur me vrasjen e Artan Cukut që tronditi Tiranë mbrëmjen e djeshme.  Ai është shprehur se: “Para se të ndodhte ngjarja pashë një djalë të ri tek shkallët. E pashë që po qëndronte aty dhe e pyeta se çfarë po kërkonte. Djali ishte i veshur me të zeza dhe me kapale në koke. Po shkruante në telefon dhe e mbante kokën poshtë. Djali me tha se po priste ti sillnin çelësin” tha administratori për News 24. 

Ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës ekzekutohet në Tiranë në një atentat të tipit mafioz pranë banesës së tij. Artan Cuku, 42 vjeç, i cili ka mbajtur disa pozicione drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit, u qëllua për vdekje me armë zjarri nga persona të paidentifikuar.  Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00, pranë banesës së tij, në një pallat në Rrugën e Kosovarëve, gati 150 metra larg digës së Liqenit Artificial. 

Atentati

Viktima është qëlluar në distancë të afërt dhe plagët e marra i kanë shkaktuar vdekje të menjëhershme. Mësohet se Artan Cuku është qëlluar 5 herë, 4 plumba i janë zbrazur në gjoks dhe një në kokë. Po kështu mësohet që kanë qenë dy vrasës. Njëri nga autorët ka qenë i fshehur te holli i pallatit, ndërsa personi tjetër e ka pritur te hyrja Cukun duke ndjekur të gjitha lëvizjet. Teksa ka dalë nga supermarketi Cuku është përballur me dy autorët. Ai u qëllua me 5 plumba, njëri në kokë dhe 4 të tjerë në gjoks. E gjithë ngjarja ka ndodhur në më pak se një minut, rreth 40 sekonda, ndërsa më pas dy autorët janë larguar me shpejtësi duke përfituar nga nata. 

Policia ka nisur kontrollet në zonë për armët e krimit, pasi dyshohet se është hedhur nga autorët, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë së bizneseve për të çuar në identifikimin e autorëve. Burime policore pohuan se ish-zyrtari i Policisë është qëlluar nga dy persona, që dyshohet të jenë larguar nga vendi i ngjarjes me një motor, duke shfrytëzuar rrugicat ndërmjet pallateve pa u vënë re, ndonëse pallati i viktimës ndodhet në një nga zonat më të populluara të kryeqytetit. Para ngjarjes, 42-vjeçari ka qenë i ulur në një nga lokalet e zonës. Dyshimet e para në lidhje me motivin e ngjarjes janë ato të vrasjes për shkak të detyrës së tij si ish-punonjës policie. Një telefonatë e mbërritur rreth orës 20:00, në sallën operative të Policisë së Tiranës, që ka lajmëruar Policinë për dëgjimin e disa të shtënave në një pallat pranë Rrugës së Kosovarëve, ka qenë sinjali i parë i Policisë në lidhje me ngjarjen. 

Pak minuta më vonë, një njësi e “Shqiponjave” ka konstatuar trupin e pajetë të ish-zyrtarit të Policisë. Dinamika e ngjarjes lë të kuptohet se autorët i kanë studiuar lëvizjet e viktimës para ngjarjes dhe vendin ku do të kryenin goditjen. Ish-polici është përballur me ekzekutorët e tij pranë hyrjes së pallatit, pak para se të mbërrinte tek ashensori. Hyrja e pallatit ndodhet në anën e pasme të godinës referuar me Rrugën e Kosovarëve dhe ballë saj rrugica kufizohet me një avlli muri rreth 20-30 metra.