Një plumb i vetëm i mori jetën Eduart Reçit, që njihej si ndërtues i një pallati në zonën ku u vra, ndërsa 27 vjet më parë rezulton të ketë qenë i angazhuar në Shërbimin Informativ Kombëtar.

Një kamera sigurie e shfaq Reçin teksa rrëzohet përtokë, dhe fillimisht në sallën operative u raportua për një burrë të gjakosur, që më pas u zbulua se kishte plagë në kokë nga një armë zjarri. Reçi u dërgua në spital, por qe e pamundur të shpëtohej. Dëshmitarët okularë nuk kanë parë asgjë. Familjarët insistojnë se nuk kanë patur konflikte . Krahas administrimit të dëshmisë së tyre, agjentë të shumtë krimesh kanë kontrolluar edhe në orët në vazhdim pallatet përreth, pasi pavarësisht kamerave të shumta të sigurisë nuk janë gjetur gjurmë të të dyshuarve.

Oficerët e krimeve të rënda ende nuk kanë siguruar gëzhojën me të cilën është bërë qitja nga arma e zjarrit që qëlloi me një plumb në kokë biznesmenin.

Sipas Mjekësisë Ligjore, plumbi e ka kapur në pjesën e djadhtë sipër veshit, e ndërsa hetuesit kanë nisur me kryerjen e eksperimenteve me qëllim për të zbuluar rrezen e qitjes.

Sipas policisë, rrezja e qitjes është llogaritur në një distancë prej 20 – 30 metrash në vijë ajrore, e ndërsa në pjesën e kokës nuk duken dëmtime të mëdha.

Puna e policisë po fokusohet te vëzhgimi i viktimës gjatë asaj dite për të parë nëse mund të zbulojnë ndonjë element nga autori i ngjarjes.