Është ende pa autor atentati i mbrëmjes së djeshme në Vlorë, ku mbeti i vrarë 22-vjeçari Gëzim Sinomataj. Policia njofton se Forcat Shqiponja, Operacionale, Delta, e Forcat Kombëtare të Sigurisë janë në ndjekje të autorëve.

Autorët dyshohet se kanë braktisur mjetin tip “BMW”, në lagjen “24 Maji”, duke e djegur dhe janë larguar duke përfituar nga errësira. Policia njofton se është rrethuar zona në një perimetër të gjerë të sigurisë dhe vijon kontrolli.

Ndërkohë Grupi i Posaçëm hetimor i ngritur për këtë ngjarje po vijon punën nën drejtimin e Prokurorisë për sekuestrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes së rrethanave të ngjarjes dhe identifikimit të autorëve.

Historia e babait të njohur si buzëderri”

I kthyer pak ditë më parë nga Belgjika për të festuar Vitin e Ri pranë familjes, emri i viktimës, veçanërisht mbiemri është i njohur për drejtësinë. Para disa kohësh i është vendosur dhe tritol në afërsi te banesës së tij.

22-vjeçari Gëzim Sinomataj është djali i Sokol Sinomataj i cili njihet me nofkën “buzëderri”. Ai u arratis nga burgu i Peqinit në vitin 2017, pasi kishte marrë leje në burgun e Peqinit dhe nuk u kthye më.

Shpallja e tij në kërkim me kartele jeshile rezulton të jetë kryer në datë 12 shtator 2017. Menjëherë, sapo doli nga burgu, ai mori të vëllain Bernardin dhe djalin adoleshent asokohe dhe u largua nga Shqipëria. Dyshohet se u vendosën në Belgjikë. Në vitin kur ai u arratis, Sokol Sinomataj vazhdonte të vuante dënimin per vrasjen e Elton Tatos dhe plagosjen e Robert Borakut, ngjarje që sipas vendimit të gjykatës së Vlorës ka ndodhur në qershor të vitit 2002.

Por ai njihet gjithashtu si ushtar i grupit të Gaxhait tregojnë kartelat e policisë Sokol Sinomati dhe Armando Sulejmani (Cipuri) pavarësisht se u gjetën fajtorë nga shkalla e parë e krimeve të rënda për pjesëmarrje në bandën e armatosur të Gazmir Brakës( Gaxhai), gjykata e lartë në vendimin Nr.48 i shpalli fajtorë vetëm për vjedhje me dhunë.

Kjo mund të jetë pista e parë për vrasjen e djeshme në Vlorë, por do të jenë hetimet që mund të nxjerrin në dritë të tjera pista.