Banorët e lagjes nr.16 në Durrës, në zonën ku mbrëmjen e të dielës u ekzekutua me armë zjarri Edmir Begu janë tronditur jo pak nga ngjarja e rëndë.
Një qytetare shprehet se ka dëgjuar krismat dhe nga dritarja e banesës së saj ka parë trupin e shtrirë përtokë të viktimës.
“Dëgjuam zhurma, krisma, automatik. Dolëm në dritare, pamë njeriun që ishte shtrirë”, u shpreh ajo ndërsa thotë se për shkak të motit të keq, në zonë kishte shumë pak lëvizje.
Ndërsa një tjetër banor tregon se kur ka ndodhur vrasja e Begut kanë menduar se po plasen fishekzjarre dhe lajmin e ngjarjes e kanë mësuar nga televizori.
“Ne kujtuam se plasën fishekzjarrë, kur dëgjuam në lajme se u bë vrasje.”, thotë ai ndërsa shton se ndihen shumë të frikësuar dhe të pasigurt për jetën e tyre.
“Të frikësuar jemi të gjithë, me thënë të drejtën, asnjë siguri nuk ka.”, përfundon qytetari.
38-vjeçari Edmir Begu (viktima përdorte edhe emrin Ilir Kuçi), për të cilin policia raportoi se ishte 32-vjeç, u ekzekutuar një natë më parë me breshëri kallashnikovi. Dyshohet se shkak për ekzekutimin e Begut është prishja e pazareve të drogës. Në vitin 2011 ai ishte i dënuar për trafik të lëndëve narkotike në shtetin italian.
Gjitashtu, 38-vjeçari njihej si një person problematik në vendin tonë pasi ndaj tij ishin bërë disa denoncime për kërcënim me jetë. Deri më tani, policia ka shoqëruar në komisariat 30 persona që mund të hedhin dritë mbi zbardhjen e plotë të vrasjes së Begut.