Policia ka sekuestruar filmimet e kamerave të sigurisë në zonën e atentatit të dyfishtë për të zbardhur momentet e krimit. Vendi ku ndodhi vrasja e Ervin Kodrës dhe Endri Çaushajt është ndër më të frekuentuar nga mjetet dhe kalimtarët.
Aty ndodhen kamerat e sigurisë së hyrjes së portit, të bizneseve të shumta, një dege të ish-CEZ, etj. Megjithë dëshmitarët e shumtë askush prej tyre nuk ka mundur të tregojë saktësisht se çfarë ka ndodhur.
Në polici janë shoqëruar 30 persona, kryesisht të afërm dhe persona që ndodheshin pranë vendngjarjes, por ata kanë treguar se nga frika e plumbave janë munduar të fshihen. Megjithë të kaluarën e njërit prej viktimave nuk ka asnjë pistë konkrete nga ana e policisë.