Një vrasje e dyfishtë ka tronditur Shkodrën në këto ditë festash. Dy vëllezër u qëlluan për vdekje me armë në urën e Drishtit në Postribë rreth orës 11:40 të ditës së sotme.

Viktimat janë Abdulla dhe Skënder Shkami, 50 dhe 40 vjeç. Dyshohet se autori i ka zënë pritë dy viktimave dhe më pas është larguar në mal.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, autori është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij, një operacion në të cilin janë angazhuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Sipas burimeve te marra nga ana e uniformave blu, dyshohet se shkaku i vrasjes ka qenë një konflikt për motive të dobëta, njofton policia.

Kjo është ngjarja e dytë e rëndë që shënohet në vitin e ri 2016.  Vetëm një ditë më parë, më 1 janar, në Sarandë një 50-vjecar vrau me armë gruan dhe më pas qëlloi edhe veten.