Mediat Belge raportojnë për ekzekutimin e një 31-vjeçari shqiptar në Saint-Denis në Forest të Belgjikës. 31-vjeçari me profesion kamarier në zonën ku është vrarë, është qëlluar me armë zjarri në orën 00:30 të mëngjesit të sotëm.
Viktima njihej me emrin Niko K ndërkohë që identiteti i vërtetë ishte Kreshnik Gjini.
Autorët e ngjarjes mësohet të kenë qënë dy persona, të cilët janë ende në kërkim. Sipas një dëshmitari, i cituar nga prokurori publik në Bruksel, viktima ishte në kërkim të një automjeti në parkingun e Forest Abbey, që ndodhej pak metra nga kafeneja.
Atje u shfaqën dy burra të maskuar dhe hapën zjarr në drejtim të tij. “Viktima vdiq në vend pas dy plumbave që mori”, tha zëdhënësi i zyrës së prokurorit publik të Brukselit, Ine Van Wymersche, në një deklaratë.
Viktima me origjinë shqiptare i njohur nga të gjithë si njeri i rregullt, është përshkruar nga shumë klientë si “i hapur, miqësor dhe bujar”.
Hetues, ekspertë të mjekësisë ligjore dhe ata të balistikës, shkuan në vendngjarje për hetimet. Autorët po kërkohen në mënyrë aktive.





