TIRANE, 6 maj 2013- Një biznesmen ndërtimi u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e djeshme, në një atentat të organizuar në hyrje të pallatit ku banonte në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:50, në zonën e njohur si “Tregu Elektrik”, ku kryqëzohen rruga “Ali Visha” e “Besnik Sykja” në Tiranë. Viktima është biznesmeni Hikmet Kotorri, 44 vjeç, nga Përmeti, baba i dy fëmijëve dhe, sipas Policisë së kryeqytetit, ai është qëlluar 7 herë me një armë zjarri që dyshohet të jetë pistoletë. Disa prej plumbave kanë goditur Kotorrin duke e lënë të plagosur rëndë, ndërsa ai ka ndërruar jetë teksa po transportohej drejt Spitalit Ushtarak.

VRASJA

Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr.1, si dhe oficerët e Seksionit te Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit. Sapo është bërë identifikimi i viktimës, Policia ka lidhur ngjarjen me një atentat me eksploziv të ndodhur rreth një muaj më parë, para Kopshtit Zoologjik në Tiranë, në automjetin e mikut të tij, biznesmenit E.S, i cili ishte edhe bashkëpronar në disa biznese të viktimës.

Madje, sipas burimeve nga Policia, Kotorri ishte thirrur disa herë që të jepte dëshminë e tij në lidhje atentatin të cilit i mbijetoi miku i tij. Nëse vrasja e 44-vjeçarit ka apo jo lidhje me ngjarjen e datës 23 mars 2013 në Tiranë, ende nuk mund të thuhet zyrtarisht nga Policia, megjithatë burimet thanë se kjo është një nga pistat e hetimit. Gjithashtu mësohet se ai ka pasur edhe disa konflikte pronësie, në lidhje me ndërtimin e disa pallateve në zonën e “Freskut” dhe rrugën që të çon te teleferiku, në kryeqytet. Policia ka shoqëruar disa persona mbrëmjen e djeshme, mes tyre dëshmitarë, por edhe persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Nisur nga dëshmitë e siguruara në vendin e ngjarjes, dyshohet të kenë qenë dy persona që i kanë zënë pritë biznesmenit Kotorri, pasi pas krismave ata janë parë duke dalë me nxitim nga hyrja e pallatit ku banonte viktima. Burimet thanë se ndërtuesi Hikmet Kotorri sapo kishte parkuar makinën në garazhin e pallatit ku banon dhe është parë duke dalë në këmbë nga aty dhe duke u drejtuar për te hyrja e pallatit. Më pas janë dëgjuar 7 krisma arme zjarri dhe dy persona janë parë duke vrapuar.

/Panorama/