Tiranë, 26 prill 2014 – Një biznesmen 36- vjeçar u ekzekutua me 8 plumba mbrëmjen e djeshme në Tiranë, pasi u përfshi në një konflikt teksa ndiqte ndeshjen e futbollit Roma – Milan në një lokal.

Viktima është shtetasi Ariol Zanga, pronar i një lokali mjaft të frekuentuar në zonën e ish- Bllokut, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes, i shpallur tashmë në kërkim, është 40-vjeçari Agron Goxhaj.

Mendohet se dhe autori i vrasjes ka mbetur i plagosur, i qëlluar nga të tjerë persona të përfshirë në këtë konflikt.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:30 në tunelin e një pallati në zonën e “Ali Demit”, ku lidhet me zonën e Tregut Elektrik.

Mësohet se personat e përfshirë në këtë konflikt janë grindur për disa minuta brenda në lokal, duke shkëmbyer fyerje dhe kërcënime. Më pas të gjashtë personat kanë dalë jashtë, rreth orës 21:15 dhe sherri është bërë edhe më i dhunshëm, kur ata janë futur në tunelin e një pallati për të shmangur dëshmitarët.

Dëshmitarët thanë se në konflikt janë përfshirë 6 persona dhe në debat e sipër, njëri prej tyre ka nxjerrë një pistoletë duke qëlluar fillimisht në qafë 36-vjeçarin Zanga e më pas në trup. Por më pas edhe autori është qëlluar nga një tjetër person dhe i gjakosur është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas dëshmitarëve që kanë qenë në lokal, viktima dhe autori njiheshin shumë mirë me njëri-tjetrin. Policia ka shoqëruar dhjetëra dëshmitarë, persona që kanë qenë në lokalin ku ndodhi sherri, por edhe jashtë tij, pranë tunelit dhe në dyqanet afër vendit të ngjarjes.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/